Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb
Kurtiii
24/07/2026 - 15:55
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb për tërheqjen e dorëheqjeve të dhëna në fund të vitit 2022.

Ai tha se braktisja ishte e organizuar politikisht si pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.

Kurti: Ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit

Video:

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk e kemi thënë e as nuk kemi të drejtë të themi kthehuni. Kishim të drejtë etike të ju themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtuese e ligjore tu themi kthehuni”, tha Kurti.

Sipas tij, largimi nga institucionet kishte qenë akt politik, ndërsa çështja e kthimit duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kurti: Largimi i tyre ka qenë akt politik ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese

Video:

“Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor të vepronte njësoj kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë kjo çështje”, tha Kurti.

Edhe U.D e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi sot më herët nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që t’u jap përgjigje negative të dorëhequrve.

Veçse mbledhja e sotshme e KGjK-së, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Ditë më parë, Haxhiu dekretoi lirimin nga detyra të prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022. Kjo, derisa Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre dhe stafit administrativ për të tërhequr dorëheqjet e mëparshme.

Në nëntor të vitit 2022, gjyqtarë, prokurorë, punonjës administrativë dhe policë serbë kishin dhënë dorëheqje kolektive nga institucionet e drejtësisë e sigurisë në veri. /A. Shala/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026