Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj.
Kjo është bërë e ditur nga burime joformale në institucionet evropiane për Radion Evropa e Lirë, ndërsa vizita pritet të konfirmohet zyrtarisht gjatë ditëve në vijim.
Që prej marrjes së mandatit, ajo ka vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Partneritetin Lindor, disa prej tyre edhe më shumë se një herë.
Megjithatë, sipas burimeve në Bruksel, tani vlerësohet se vizita duhet të realizohet pavarësisht situatës politike, pasi nuk pritet që gjendja në Kosovë të ndryshojë thelbësisht në një periudhë të shkurtër.
Në fund të prillit, Kos deklaroi në Parlamentin Evropian se pret të vizitojë së shpejti Kosovën për të diskutuar reformat që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 është në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Sipas ndarjeve buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro, prej tyre 253 milionë euro grante dhe 629 milionë euro kredi.
E pyetur nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, lidhur me kontaktet me shtetet mosnjohëse, ajo tha se zhvillimet në këtë drejtim janë “inkurajuese”, pa dhënë më shumë detaje.
Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, gjë që konsiderohet pengesë për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.