Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik që u mori jetën tre shtetasve të Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve fillestare, automjeti është gjetur i përmbysur pranë rrethrrotullimit të parë në segmentin e autostradës që është ende në ndërtim. Dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka vërejtur me kohë rrethrrotullimin, ndërsa mungesa e ndriçimit në këtë pjesë të rrugës mund të ketë ndikuar në daljen e veturës nga rruga dhe përmbysjen e saj në humnerë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe ato të Ndihmës së Shpejtë, ndërsa në orën 23:07 mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të tre personave. Në hetimin e rastit janë angazhuar edhe Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë të Stacionit Policor të Çairit dhe inspektorë të sektorit të hetimeve.
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, duke bërë të ditur se Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe familjarët për të ofruar mbështetjen e nevojshme. Ai njoftoi se, pas përfundimit të procedurave nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë.