Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, me të cilin ka biseduar për rrugën e integrimit.
Kurti ka thënë se për Kosovën anëtarësimi në Bashkim Evropian nuk ka alternativë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti ka theksuar rëndësinë e tregut të përbashkët rajonal dhe atë të zbatimit të shpejtë dhe të plotë të tri marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit.
“Z. Koopman tha se Kosova është pjesë e familjes evropiane. Ai e përgëzoi Kosovën për reformat dhe theksoi nevojën e përshpejtimit të tyre dhe nevojën për të ndjekë integrimin ekonomik të rajonit dhe integrimin në tregun ekonomik të Bashkimit Evropian”, është bërë e ditur në njoftim.