Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zyrtarizoi sot kandidatët që do të garojnë për president të Maqedonisë së Veriut. Më 24 prill në fletën e votimit për kreun e shtetit do të jenë emrat e Stevo Pendarovskit, Gordana Siljanovska Davkovës, Arben Taravarit, Bujar Osmanit, Stevço Jakimovskit, Biljana Vankovskës dhe Maksim Dimitrievskit, shkruan Alsat. KSHZ-ja u dha dy ditë kandidatëve Taravari dhe Jakimovski për kompletimin e dokumentacionit.
“Konstatoj se lista e përfaqësuesve të autorizuar të parashtruesve të listave të kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, listat janë konfirmuar njëzëri. Kandidatët Stevço Jakimovski dhe Arben Taravari, brenda 48 orëve duhet të dorëzojnë numër të vetëm tatimor dhe llogari transaksioni”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa shërbejnë edhe si test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Bazuar në Kushtetutën aktuale, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të 1.8 milion zgjedhësve. Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit. Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë, do të nisë më 4 prill.