355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi.
Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë.
Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.
Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.
Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.
Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.
Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.