Institucionet e Kosovës ia kanë ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës kryetarit të Komunës së Nikshiqit në Mal të Zi, Marko Kovaçeviq.
Sipas burimeve të KosovaPress, vendimi është marrë për shkak të qëndrimeve të tij të vazhdueshme kundër pavarësisë së Kosovës dhe vlerësimeve se prania e tij mund të përdorej për përhapje të mesazheve politike e propagandistike gjatë manifestimeve të Vidovdanit në Gazimestan. Po ashtu, siç merr vesh agjencia, ndalimi i hyrjes lidhet me vlerësimet e sigurisë dhe me synimin për të parandaluar aktivitete që mund të nxisin tensione ose të cenojnë rendin publik gjatë aktiviteteve të planifikuara për Vidovdan.
Por, partia të cilës i përket, Demokracia e re serbe (NSD) e ka përdorur ndalimin e tij për të hyrë në Kosovë për të dezinformuar për institucionet në Kosovë.
“Ndalimi i hyrjes së Marko Kovaçeviqit në Kosovë është dëshmi e politikës antiserbe të Prishtinës”, kanë pretenduar ata, ndërkohë që mediat në Mal të ZI kanë raportuar për refuzimin e Kovaçeviqit për të hyrë në Kosovë.