Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka prezantuar prioritetet e mandatit të tij, duke premtuar reforma që synojnë forcimin e sistemit prokurorial dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës të hënën, Gashi tha se puna e prokurorëve duhet të matet me rezultate konkrete, e jo me deklarata publike. Sipas tij, profesionalizmi, integriteti dhe performanca do të jenë bazë për ndërtimin e një sistemi më efikas dhe më të besueshëm. Ai kërkoi angazhim më të madh në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë, si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit.
Pak ditë pasi u dekretua për kryeprokuror, Gashi u zotua se do të zbatojë programin dhe objektivat që ka prezantuar gjatë kandidimit për postin e kryeprokurorit, ndërsa u premtoi prokurorëve mbështetje në ushtrimin e detyrës së tyre me profesionalizëm, paanshmëri dhe guxim. Ai tha se zyra e tij do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe koordinim institucional, me qëllim të tejkalimit të sfidave me të cilat përballen prokurorët.
Duke folur për pavarësinë e sistemit prokurorial, Gashi theksoi se çdo vendim duhet të bazohet në Kushtetutë, ligj dhe prova të siguruara në mënyrë të ligjshme. Ai nënvizoi se pavarësia nuk duhet të shërbejë si mburojë për papërgjegjësi, ndërsa llogaridhënia, sipas tij, është kusht për ruajtjen e standardeve të larta profesionale. Gashi shtoi se lufta kundër abuzimit me detyrën do të jetë e pakompromis dhe se askush nuk do të jetë mbi ligjin.