Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka reaguar ashpër pas humbjes 3-0 ndaj Brighton & Hove Albion, duke kritikuar publikisht lojtarët për mungesë angazhimi dhe karakteri në fushë.
Pas ndeshjes, Rosenior deklaroi se performanca e skuadrës ishte e papranueshme dhe nuk përfaqësonte vlerat e klubit, duke theksuar se nuk mund ta mbrojë atë që pa në fushë. “I kam mbrojtur lojtarët kur ka qenë e nevojshme, por kjo performancë nuk përfaqëson këtë klub dhe duhet të ndryshojë”, u shpreh ai, duke shtuar se skuadrës i munguan “dëshira, shpirti dhe guximi”.
“Golat që pësuam ishin të papranueshëm. Kjo nuk kishte të bënte me taktikën, por me bazat si intensiteti, pasioni dhe energjia, të cilat munguan plotësisht”, deklaroi më tej Rosenior, duke pranuar se përgjegjësia bie edhe mbi të.
Chelsea aktualisht ndodhet në vendin e shtatë dhe rrezikon seriozisht kualifikimin në garat evropiane, ndërsa forma e dobët ka shtuar presionin mbi trajnerin, i cili madje u përball edhe me thirrje për shkarkim nga tifozët.