Njëmbëdhjetë aktakuza për krime lufte janë ngritur deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhë janë akuzuar 36 persona, në mesin e tyre 33 për gjykim në mungesë.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, derisa ka thënë se numri total i aktakuzave në mungesë është 20, ku akuzohen 102 persona.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani flet për vështirësitë që kanë autoritetet vendore për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës. Ai thekson se ka kaluar kohë e gjatë dhe se “provat janë lehtësisht të zhdukshme”.
Hasani thotë ndër tjera se është me rëndësi që Kosova të ketë aktgjykime të formës së prerë për krime lufte.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë.
Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ka pasur progres në aspektin e qasjes në drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, mbi 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht, mbi gjashtë mijë të zhdukur, prej tyre 1.600 vazhdojnë të jetë të pagjetur e më shumë se 800 mijë persona të zhvendosur gjatë viteve 1998-1999. Por Serbia vazhdon t’i mohojë të gjithë këto krime të kryera në Kosovë.