“Krimea ruse”, ekipi i Donald Trump distancohet nga deklarimet e Bryan Lanza
Bota
Lexohet për: 3 min.
“Krimea ruse”, ekipi i Donald Trump distancohet nga deklarimet e Bryan Lanza
Foto Ilustruese
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ekipi i tranzicionit i presidentit të sapo zgjedhur amerikan njoftoi se Bryan Lanza, një strateg i vjetër i Partisë Republikane, nuk foli në emër të presidentit kur ai tha për BBC, se “administrata Donald Trump do t'i kërkonte presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky një vizion realist për paqen".

Lanza tha se prioriteti i administratës së re amerikane në Ukrainë do të jetë vendosja e paqes, jo kthimi i territorit të humbur ukrainas, përfshirë Krimenë.

"Nëse presidenti Zelensky vjen në tryezë dhe thotë se ne mund të kemi paqe vetëm nëse e kthejmë Krimenë, ai do të na tregojë se nuk është serioz. Krimea është e humbur," tha ai.

Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të Trump mohoi se Lanza po fliste në emër të Trump. Ekipi i tij i tranzicionit aktualisht po shqyrton kandidatët për postet e administratës dhe po zhvillon politika që Trump mund të miratojë gjatë mandatit të tij të dytë.

"Bryan Lanza ishte një kontraktues për fushatën. Ai nuk punon për presidentin Trump dhe nuk flet për të”, tha zëdhënësi në kushte anonime.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump tha se do të gjente një zgjidhje për t'i dhënë fund luftës "brenda një dite", por nuk shpjegoi se si do ta bënte atë.

Sipas mediave, Zelensky dhe Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike pas zgjedhjeve në SHBA, dhe mbështetësi i Trump miliarderi Elon Musk i është bashkuar bisedës. Trump më parë ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e dhënies së territorit ukrainas Rusisë dhe ka qenë i paqartë në deklaratat e tij për konfliktin.

Disa nga aleatët e tij të shquar kanë paraqitur propozime paqeje që do të rezultonin në kontroll afatgjatë rus mbi zonat e njohura ndërkombëtare si territor ukrainas.

Rusia aneksoi Gadishullin Krime në vitin 2014. Më shumë se dy vjet e gjysmë pas fillimit të një pushtimi të plotë të Ukrainës, forcat ruse kontrollojnë më pak se 20 për qind të territorit ukrainas. Zelensky ka deklaruar se paqja nuk mund të vendoset për sa kohë që forcat ruse janë të pranishme në Ukrainë dhe derisa ata të kthejnë gjithë territorin aktualisht nën kontrollin rus, përfshirë Krimenë.

Këshilltari i Trump: Kemi lajme për Zelensky - Krimea është zhdukur • KosovaPress

"Plani i tij i fitores", i zbuluar muajin e kaluar, përfshin këtë kërkesë, si dhe një thirrje që Ukraina të bashkohet me NATO-n, të cilën Rusia e kundërshton, duke thënë se kushtet ruse për bisedimet e paqes përfshijnë heqjen dorë nga Ukraina nga katër rajone të aneksuara nga Moska.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024