Avokati serb: Vuçiq po defuqizohet, serbët e Kosovës të ndahen politikisht nga Beogradi
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Regjimi i Aleksandër Vuçiqit në Serbi zhvilloi një oktapod monstruoz të korruptuar që gëlltiti të gjithë vendin, dhe një nga mënyrat e kontrollit të qytetarëve është narrativa për mbrojtjen e Kosovës, që në fakt është vetëm një mbulesë për vjedhje të organizuar dhe korrupsion, thotë avokati serb Aleksandar Olenik.
Olenik, i cili është edhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV), thekson se Lista Serbe është e padobishme politikisht pas ngjarjeve në Banjskë.
“Por, Vuçiq nuk ka operator tjetër në Kosovë përveç Kishës Ortodokse Serbe dhe po mundohen ta ringjallin Listën Serbe për zgjedhjet në Kosovë sepse janë të detyruar ta bëjnë këtë”, thotë ai në një intervistë për The Geopost, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, është koha që serbët e Kosovës të “ndahen politikisht nga Beogradi, të formojnë një ose më shumë parti që do të përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës dhe jo interesat e regjimit të korruptuar të Aleksandër Vuçiqit”.
Lidhur me protestat masive që po ndodhin në Serbi, Olenik tha se dëshmojnë procesin e defuqizimit të Vuçiqit.
“Çdo ditë që kalon presioni ndaj Vuçiqit dhe regjimit të tij po rritet dhe çdo ditë që kalon aftësia e tij për t’u mbrojtur nga ky presion po zvogëlohet”, vlerësoi Olenik.