Toka e Venera planetë të ngjashëm, por tash është zbuluar ndryshimi kryesor
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Toka e Venera planetë të ngjashëm, por tash është zbuluar ndryshimi kryesor
7 orë më parë
Linku u kopjua

Venera nganjëherë quhet binjakja e Tokës për shkak të madhësisë së ngjashme dhe përbërjes shkëmbore, por edhe pse sipërfaqja e saj është e djegur dhe e zhveshur sot, shumë pyesin nëse ky planet mund të ketë qenë dikur i mbuluar nga oqeanet.

Bazuar në përbërjen kimike të atmosferës, shkencëtarët kanë përcaktuar përmbajtjen e ujit në brendësi të planetit, i cili është një nga treguesit kryesorë nëse oqeanet kanë ekzistuar dikur në Venerë.

Ata arritën në përfundimin se brendësia e planetit tani është jashtëzakonisht e thatë, duke mbështetur idenë se Venera mbeti e tharë pas një periudhe të historisë së saj të hershme kur sipërfaqja përbëhej nga shkëmbinj magmë të shkrirë dhe qe atëherë ka pasur një sipërfaqe të djegur.

Uji konsiderohet si një përbërës i domosdoshëm për krijimin e jetës, ndaj përfundimet e studimit sugjerojnë se Venera nuk ka qenë kurrë e banueshme. Të dhënat nga hulumtimi nuk mbështesin hipotezën e mëparshme se Venera kishte një rezervuar uji nën sipërfaqen e saj - mbetjen e një oqeani të humbur.

Vullkanizmi, si rezultat i të cilit gazrat lëshohen në atmosferën e planetit, na lejon të deshifrojmë brendësinë e planetëve shkëmborë. Ndërsa magma ngrihet nga shtresa e mesme e planetit, e njohur si manteli, në sipërfaqe, ajo lëshon gazra nga thellësia e brendshme.

Mbi 60 për qind e gazeve vullkanike të Tokës janë avujt e ujit, gjë që është dëshmi se brendësia është e pasur me ujë. Shkencëtarët kanë llogaritur se avujt e ujit përbëjnë jo më shumë se gjashtë për qind të gazeve të lëshuara në shpërthimet në Venerë, duke sugjeruar një brendësi të tharë.

"Ne besojmë se e kaluara e banueshme do të nënkuptonte se brendësia e Venerës tani është e pasur me ujë. Përbërja kimike e atmosferës tregon se shumë pak ujë lirohet në shpërthimet vullkanike në Venerë, gjë që na tregon se brendësia e planetit – burimi i vullkanizmit – është i tharë”, shpjegoi Tereza Constantinou nga  Instituti i Astronomisë - Universiteti Cambridge.

"Ka dy tregime shumë të ndryshme për ujin në Venerës: njëra flet për një klimë të moderuar për miliarda vjet, me ujë të lëngshëm sipërfaqësor, dhe tjetri pretendon se Venera e nxehtë në fazën e hershme të formimit nuk mund të kondensojë kurrë ujin e lëngshëm," shton ajo.

Megjithëse Venera dhe Toka janë të ngjashme në masë, diametër, densitet dhe distancë nga Dielli, Constantinou thekson se rrugët e tyre evolucionare ndryshuan në mënyrë dramatike.

Kushtet në sipërfaqen e Venerës janë ekstreme në krahasim me Tokën, me presion atmosferik 90 herë më të lartë, një temperaturë sipërfaqësore prej rreth 465 gradë Celsius dhe një atmosferë toksike me re të acidit sulfurik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024