KQZ tregon kur përfundon numërimi i votave nga diaspora
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
KQZ tregon kur përfundon numërimi i votave nga diaspora
qendra e numrimit te votave
15/06/2026 - 13:43
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta përmbyllë gjatë mesjavës procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për KosovaPress, sipas të cilit, pas përfundimit të këtij procesi do të nisë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Në fund, pas përmbylljes së të gjitha këtyre numërimeve, KQZ do të zhvillojë rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar më herët në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Gjatë dy ditëve të fundjavës, janë numëruar 80 nga 223 kuti votimi ku janë sistemuar pakot e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për 36 përqind të këtyre kutive dhe sipas këtij progresi, synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës të përmbyllet në mesjavë. Në përgjithësi, nga 85 mijë e 790 pako të tërhequra nga 23 kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen 82 mijë e 809 pako të supozuara me fletëvotime. Vetëm pasi zarfi të hapet nga ekipet e numërimit, do të dihet me saktësi nëse brenda zarfeve është fletëvotimi dhe nëse është vlefshëm. Ndërkaq, në numërim nuk do të përfshihen 2 mijë e 981 zarfe, të cilat janë refuzuar, sepse nuk e kanë kaluar verifikimin, pasi shumica prej tyre nuk kishin dëftesën e regjistrimit, një dokument që secili votues i regjistruar e pranon nga KQZ dhe me të cilin dëshmohet se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar”, tha Elezi.

Sipas tij, derisa të përfundojë numërimi i këtyre fletëvotimeve, KQZ do të bëjë gati për numërim votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Me përfundimin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve, KQZ nuk do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Para përfundimit të procesit, KQZ do të vendosë për rinumërimin deri në 10 përqind të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.

KQZ ka ndërmarrë edhe masa tjera për më shumë siguri në procesin e numërimit të votave. Në çdo tavolinë numërimi, e cila përbëhet nga 4 anëtarë, janë të vendosur nga dy monitorë, nga një sa ishte në zgjedhjet e kaluara. Kjo është bërë me qëllim që të gjithë të shohin në ekran numërimin e fletëvotimeve dhe evidentimin e rezultatit në sistem.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026