Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur afatin 38-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Kosova mban zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025.
“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Për regjistrim, KQZ ka caktuar afat 38-ditor, pra deri më 29 gusht 2025. Gjatë këtij afati, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, njoftoi Elezi.
Platforma elektronike e KQZ-së pritet të lëshohet në përdorim gjatë ditës.
Platforma e KQZ-së nuk ka paraparë mundësinë e votimit në përfaqësi diplomatike, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se ky lloj votimi nuk aplikohet në Zgjedhjet Lokale.
Më tej, sipas Elezit, ky proces regjistrimi do të vlejë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit që regjistrohen si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë nga jashtë Kosovës, përmes postës, nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.