Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi z.Jetish Maloku, ka mbajtur Takimin e 239-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Fillimisht, anëtarët e KPK-së, kanë shprehur shqetësim e tyre për shkarkimin nga Kuvendi i Kosovës të anëtarit joprokuror të KPK-së, z.Agron Beka, ku KPK-ja ka informuar opinionin publik përmes një komunikate të premten e kaluar se Kuvendi ka bërë shkelje ligjore, duke theksuar se institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.
Gjithashtu, anëtarët e Këshillit miratuan edhe: Programin e Punës së Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vitin 2024 dhe Dokumentin e Politikave të Trajnimit dhe Planin e Nevojave për Trajnimin e Prokurorëve të Shtetit dhe Stafit Administrativ për vitin 2024, i cili do t’i dërgohet Akademisë së Drejtësisë, si dhe Raportin për periudhën janar-qershor 2023 për zbatimin e Planit të Veprimit të Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial 2022-2024.
Rrjedhimisht, në rendin e ngjeshur të ditës së sotme që kishte, KPK-ja aprovoi gjithashtu dy raporte të Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve dhe avancoi z.Arben Hoti dhe znj.Fatmire Cacaj në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe znj.Zana Sadiku-Sertolli dhe znj.Mimoza Shala në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
KPK-ja ka shtyrë për takimin e radhës shqyrtimin e Analizës së Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të Shtetit, për shkak të mungesës së anëtarit joprokuror të Këshillit-shkarkimit nga Kuvendi i Kosovës me çka nga ky shkarkim ka shkaktuar pengesa të mëdha në sistemin prokurorial të Kosovës.
Në përfundim të takimit, anëtarët e KPK-së trajtuan Raportin për vlerësimin e performancës së 12 prokurorëve me mandat të përhershëm dhe kundërshtimet e paraqitura dhe mbajti një seancë dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.