Vriten 12 persona në Cetinje të Malit të Zi mes tyre dy fëmijë
Në krimin masiv në Cetinje të Malit të Zi, mbetën të vrarë 12 persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa mjekët e Qendrës Klinike në Podgoricë po luftojnë për jetën e katër qytetarëve të tjerë.
Në këtë krim u vranë shtatë burra, tre gra dhe dy fëmijë.
Të gjitha njësitë policore, si dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Malit të Zi, kanë kërkuar me orë të tëra për të dyshuarin Aco Martinoviq, i cili vdiq pak minuta para mesnatës, pasi qëlloi veten në kokë kur, siç konfirmoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Lazar Shqepanoviq, policia e rrethoi atë në afërsi të shtëpisë së familjes në vendbanimin Humci.
Ai ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Martinoviqi e filloi krimin në kafenenë "Velestovo", afër Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjes, ku vrau katër persona dhe më pas vrau tetë të tjerë në tre lokacione të tjera në qytet, në mesin e tyre tre gra dhe dy djem, dy vëllezër nga 10 dhe 13 vjeç.
Katër personat e lënduar janë operuar sonte në QK, ndërsa drejtori i institucionit, dr. Aleksandar Radoviq, ka bërë të ditur se tre të plagosurit rëndë ndodhen në reanimacion, se lëndimet e tyre janë të rënda, por se parametrat vital “aktualisht janë stabile".
Operacioni i të lënduarit të katërt, i cili ka lëndime të shumta në kokë, stomak dhe gjoks, siç ka sqaruar doktor Radoviq, duhet të zgjasë deri në orët e hershme të mëngjesit.
Rreth orës 20:00 policia kishte informacione se Martinoviqi dyshohet se është parë në njërën nga sallat e braktisura të ish-uzinës “Obod”, por pas kontrollit të objektit nuk është gjetur aty.
Të dhënat e para jozyrtare të DP-së tregojnë se Martinoviqi mëngjesin e sotëm ka qenë në kafenenë “Velestovo”, ku gjatë ditës është shoqëruar me pronarin dhe disa të njohur e miq të tjerë të përbashkët, pasi kanë festuar Vitin e Ri me ushqime dhe pije.
I dyshuari dyshohet se ka pasur një debat, e më pas ka ndodhur një përleshje në lokal, pas së cilës ai ka shkuar në shtëpi, e më pas një kohe të shkurtër është kthyer i armatosur...
Ai ka qëlluar në kafene dhe besohet se aty ka vrarë katër persona.
Pas kësaj, ai udhëtoi me makinën e tij në tre lokacione të ndryshme në Cetinje - vendbanimi Humce dhe në dy vende të tjera ku vrau ose plagosi disa njerëz, duke përfshirë dy fëmijë dhe disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë.
Ky është krimi i dytë masiv në Cetinje në dy vjet e gjysmë.
Kryeqyteti dhe Mali i Zi ende nuk e kanë marrë veten nga tragjedia e ndodhur më 12 gusht të vitit 2022 në vendbanimin Medovina. Kur Vuk Boriloviq vrau 10 persona, duke përfshirë dy djem, dy vëllezër./Vijesti.me/