Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për kokë banori, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Sipas Bankës Botërore shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, 19.2 për qind.
Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, vendi mbetet prapa fqinjëve të saj me Bruto Produktin Vendor për kokë banori që arrin vetëm 5.889 euro.
Ndërsa, Luksemburgu (137,839 euro), Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Austria janë pesë vendet e BE-së me të ardhurat më të larta për frymë.
Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë, Jane Sprouster në një intervistë për KosovaPress, thotë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, sidomos për popullatën e re. Sipas saj përmes këtyre masave, Kosova ka potencialin të kapërcejë hendekun e të ardhurave me vendet e BE-së dhe të krijojë një të ardhme më të ndritur për popullatën e saj.Për KosovaPress Sprouster shprehet se rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.8 për qind për vitin 2024 dhe deri 4 për qind në periudhën afatmesme.
Sipas saj, me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, Banka Botërore parashikon që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind në 2024 në 17.1 për qind në 2025.
Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.