Banka Botërore parashikon këtë përqindje të rritjes ekonomike për Kosovën dhe rajonin
Lajme
Lexohet për: 3 min.
BB ss
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, ndonëse paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt. Në raportin e fundit të Bankës Botërore, parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind. Sipas Bankës Botërore, për vitin 2025, Kosova do të ketë rritje ekonomike 3.9 për qind.

Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësise në rajon. Sipas raportit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

"Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit," u shpreh Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.

Më tej ajo ka shtuar se, “Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit”.

BB njofton se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike për këtë vit 3.3 për qind, ndërsa në vitin 2025 norma e kësaj rritje pritet të jetë 3.4 për qind. Mali i Zi për vitin 2024 do të ketë 3.4 për qind, për vitin 2025 ajo pritet të jetë 3.5 për qind. Ndërsa, Maqedonia Veriore për këtë vit pritet të ketë rritje ekonomike 1.8 për qind, ndërsa për vitin 2025 parashihet të jetë 2.5 për qind.  

Serbia pritet të ketë rritje ekonomike për këtë vit 3.8 për qind, ndërsa për vitin 2025 kjo rritje pritet të jetë sipas Bankës Botërore 4.2 për qind.  

Sipas Bankës Botërore, me forcimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian.

“Megjithatë, ruajtja e vrullit të rritjes dhe përshpejtimi i ritmit të konvergjencës kërkon reforma strukturore, përfshirë ato të përshkruara në Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Sipas raportit, nëse menaxhohet në mënyrë efektive, migracioni mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e varfërisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve, duke rezultuar në këtë mënyrë në krijimin e vendeve të punës dhe transferimin e njohurive.

“Për shembull, remitancat mund të përmirësojnë burimet financiare për familjet e emigrantëve. Përveç kësaj, kthimi i emigrantëve të kualifikuar mund të sjellë një “kthim të trurit' në vendet e tyre të origjinës, ndërsa joshja nga paga më të larta jashtë vendit mund të motivojë arsimimin dhe rritjen e aftësive për ata që vendosin të qëndrojnë”, thuhet në raport.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024