Sukseset e jashtëzakonshme të ekipit të notit të Kosovës në garën ndërkombëtare “Golden Orlando 2026” në Dubrovnik kanë marrë jehonë të madhe, jo vetëm për medaljet e shumta, por edhe për rekordet e reja kombëtare që u vendosën, raporton KosovaPress.
Pas këtij triumfi, duke folur për KosovaPress, trajnerja e ekipit, Vlera Llalloshi, së bashku me dy notaret e suksesshme të garës, Erina Idrizaj dhe Riga Shala, kanë ndarë emocionet dhe vlerësimet e tyre për këtë paraqitje historike.
“Përfaqësuesja e Kosovës në garën Golden Orlando, që është mbajtur në Dubrovnik të Kroacisë, ka pasur një paraqitje të shkëlqyer. Kemi arritur gjithsej 33 medalje dhe shumë rekorde” – tregoi Vlera Llalloshi.
Në fund theksoi rëndësinë e përkrahjes institucionale për zhvillimin e sportit dhe sportistëve në Kosovë.
“Përkrahja institucionale është shumë e rëndësishme për zhvillimin e sportit edhe sportistave tanë. Ministria, domethënë, i mbështet federatat me anë të buxhetit dhe thirrjeve për zhvillimin e sportit, dhe gjithashtu ligji për sponzorizim, që është shumë i fuqishëm edhe është kyç për zhvillimin e sportistave tanë” – përfundoi trajnerja.
Notarja ka përshkruar si shumë pozitive përvojën e saj në garat ndërkombëtare në Dubrovnik, duke theksuar emocionin e përfaqësimit të Kosovës.
Riga Shala notarja e cila vendosi rekord të ri kombëtar në disiplinën 200m Freestyle, duke thyer rekordin që qëndronte që nga viti 2021, ka folur për pritshmëritë dhe performancën e saj në garën ndërkombëtare, duke theksuar përgatitjen e mirë dhe rezultatet e arritura.
“Pritshmëritë e mia për këtë garë kanë qenë të larta, duke e marrë parasysh punën që e kemi bërë, edhe kam ndreq kohët e mia personale në çdo disiplinë dhe kam thyer rekordin e Kosovës në 200 metra stil të lirë” – tregon Shala.
“Ndihem shumë krenare që e përfaqësoj shtetin tim në një garë ndërkombëtare dhe synimi im është që me e përfaqësua në mënyrën sa më të mirë të mundshme” – përfundoi Shala.
Me 33 medalje të fituara dhe rekorde të reja kombëtare, notaret kosovare kanë treguar nivel të lartë përgatitjeje dhe përkushtimi./KosovaPress