Ushtarët amerikanë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, po zhvillojnë patrullime të rregullta përgjatë asaj që kjo forcë ndërkombëtare e sigurisë e quan Vijë Administrative Kufitare (e që në fakt është kufiri i Republikës së Kosovës), në zonën e tyre të përgjegjësisë, e cila lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kështu thuhet sipas një njoftimi të KFOR-it, që potencon se këto patrullime realizohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e vetëdijes për situatën në terren, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme në terren.
KFOR rikujton se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Po ashtu, kjo forcë nënvizon se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë.