Kosova mori pjesë për herë të parë si anëtare kandidate për Zgjerim (Enlargement Candidate Member) në sesionin plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e BE-së, mbajtur të enjten në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian.
Në sesionin hapës folën Presidenti i KESE-së, Séamus Boland, dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila mbajti fjalimin kryesor. Sesionin e mbylli me fjalë përmbyllëse Valentina Superti, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim (DG ENEST) të Komisionit Evropian.
Në diskutim plenar "Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane", Kosovën e përfaqësoi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka.
Në fjalimin e tij, Puka falënderoi KESE-në për rishqyrtimin e vendimit fillestar që kishte lënë Kosovën jashtë Nismës për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim.Ai theksoi rritjen e presionit politik dhe financiar ndaj shoqërisë civile në Ballkan si dhe humbjen prej mbi 120 milionë eurove në financim për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor pas tërheqjes së USAID-it, prej të cilave rreth 26 milionë euro në Kosovë.
Ai kërkoi nga institucionet e BE-së që, në kuadër të negociatave për Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare (MFF), financimi për shoqërinë civile të pavarur në shtetet e zgjerimit të trajtohet me prioritet dhe si investim strategjik në qëndrueshmërinë demokratike dhe konsolidimin e Evropës.
Ai e cilësoi deklaratën si "kujtesë se çfarë bën pushteti i cili nuk ndjen pikë përgjegjësie e llogaridhënie, dhe kur askush nuk e sfidon," duke theksuar se retorika e luftës mbetet e pranishme në rajon dhe se BE-ja nuk mund të heshtë ndaj saj.
"Konvergjenca me BE-në ka të bëjë më shumë me përqafimin e vlerave evropiane sesa me çdo gjë tjetër," tutje tha ai, duke shtuar se vetëm veprimi konkret nga BE e bën thënien e Komisioneres Kos 'kurrë më luftë' premtim për të ardhmen, e jo thjesht kujtim të së kaluarës por premtim për të ardhmen.
Përveç Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), nga Kosova në këtë seancë plenare morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) si dhe Platforma Civikos.