Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka shënuar 1 Korrikun, Ditën e Përmbarimit, me një konferencë për media, ku u prezantuan sfidat e sistemit përmbarimor dhe statistikat e punës së këtij institucioni.
Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë të Republikës së Kosovës, Mehdi Reshani, tha se ndryshimet në Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe në udhëzimin administrativ për tarifat e përmbaruesve kanë vështirësuar funksionimin e zyrave përmbarimore, duke ndikuar si në punën e përmbaruesve, ashtu edhe në realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe institucioneve.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës, Mervan Zejnullahu, bëri të ditur se aktualisht në vend ushtrojnë veprimtarinë 44 përmbarues privatë, ndonëse sipas ligjit numri i tyre duhet të jetë 78. Vetëm dy janë gra, ndërsa asnjë përmbarues nuk vjen nga komunitetet joshumicë, pavarësisht se Ministria e Drejtësisë ka hapur vazhdimisht konkurse për plotësimin e vendeve.
“Kemi 44 përmbarues aktivë tash në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Numri i përgjithshëm sipas ligjit duhet të jetë 78, domethënë i kemi edhe 34 vende të paplotësuara. Dy përmbarues janë femra, ndërsa nga komunitetet nuk kemi asnjë përmbarues deri tash, s’ka pasur interesim. Përkundër faktit që ka pasur konkurse të hapura vazhdimisht nga Ministria e Drejtësisë, por interesimi ka qenë i vogël nga ky rast. Për ndryshe Oda është edhe anëtare e Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë me të drejta të plota prej vitit 2021, ndërsa si anëtare vëzhguese ka qenë nga viti 2015.”, u shpreh Zejnullahu.