Njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Burim Ramadani po paralajmëron riorganizimin e një lëvizje të re popullore politike. Në rast se nuk do të ketë zgjidhje për presidentin, ai pret që të ketë grupim të qytetarëve për të ndërtuar një platformë të re. Në mungesë reflektimi nga partitë aktuale, pjesë e këtij grupacioni thotë se do të jenë persona që kanë kontribuuar për vite të tëra por edhe gjenerata të reja.
Një gjë e tillë do të ndodhë, sipas tij, meqë klasa politike po dëshiron ta mbaj Kosovën në drama të vazhdueshme. As zgjedhjet e shpejta, siç vlerëson vet ai, nuk pritet të sjellin ndryshime.
Kësisoj, ai paralajmëron lëvizje nga vet qytetarët, për çka konsideron se do të jetë alternativë për të ardhmen.
Qytetarët nuk mund të presin deri në pafundësi partitë politike për të ofruar zgjidhje, thotë analisti Burim Ramadani.“Unë e shoh që kjo po ndodh, unë e shoh që ka absolutisht disponim te njerëzit, kontribuuesit, të rinjtë e të tjerëve, dhe është në pritje nëse partitë politike aktuale do të riorganizohen ose jo, e që është edhe thirrje ndoshta prej të fundit për subjektet politike që të reformohen, të riorganizohen dhe të ndërtojnë një koncept të ri...Po flasim për njerëz që kanë qenë kontribuues në etapa të ndryshme, njerëz që e duan Kosovën dhe sidomos gjeneratat e reja”, thekson ai.
Madje, pritjet e Ramadanit janë se ky grupacion i ri politik do të ndryshojë situatën.