Në një formë të pazakontë për ceremonitë mortore në Kosovë, por të mbështetur fuqishëm në identitetin dhe traditën kombëtare shqiptare, iu dha lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefki Sejdiu.
Ceremonia e varrimit u organizua ndryshe nga praktikat e zakonshme, duke mos u zhvilluar mbi rite fetare, por mbi një koncept të veçantë që reflektonte amanetin dhe bindjet jetësore të të ndjerit.
Basri Beka, një nga themeluesit e Organizatës “Shqiptaria”, tha se e gjithë ceremonia ishte në përputhje me amanetin e të ndjerit dhe me parimet që ai kishte ndjekur gjatë jetës.
“Amaneti i Shefkiut ka qenë: kam lindë shqiptar, kam jetu si shqiptar, dua të vdes si shqiptar. Kjo është edhe ajo që ne edhe çka e promovojmë si “Organizata Shqiptaria”. Të lindim, të jetojmë dhe të vdesim si shqiptarë, larg kulturave dhe ndikimeve të huaja. Kjo nuk do të thotë që ne i përjashtojmë besimet fetare, absolutisht që jo, por do të thotë ceremonitë mortore, jeta, duhet të jetë do të thotë kompatibile me kulturën dhe traditën shqiptare, jo t’i imponohen kultura dhe tradita të huaja qysh e kemi parë këto 25 vjet, 26 vjetët e fundit na i kanë imponu. Prandaj, për ne duhet të jetojmë, të lindim, të jetojmë si shqiptarë. Ky ishte amaneti i Shefkiut dhe ne si “Organizata Shqiptaria” këto ceremoni varrimi që sot i patë, do të vazhdojnë anëtarët tanë dhe këtë mesazh do e përcjellim te të gjithë populli shqiptar i Kosovës se ata duhet edhe kur të vdesin, të vdesin si shqiptarë.” , tha ai.“Sidomos atdhetarët dhe qytetarët që e ndjejnë veten shqiptarë duhet të varrosen dinjitetshëm. Jo me një gjuhë që s’e marrim vesh, jo me një kulturë që s’është e papranueshme për ne, po të varroset si shqiptar. Kjo nuk do të thotë që në varrim mos të ketë edhe prift edhe hoxhë, por ata të paraqesin, të flasin shqip, një gjuhë që e kupton populli, një gjuhë që e flasim dhe jo të na imponohen kultura dhe tradita të huaja.”, tha Beka.
Duke folur për Sejdiun, Basri Beka tha se ai do të kujtohet si një njeri që gjithmonë doli në ballë kur vendi kishte nevojë dhe dha kontribut të vazhdueshëm në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare.
Shefki Sejdiu ishte një nga themeluesit e Organizatës “Shqiptaria” dhe një figurë e njohur e angazhimit kombëtar që nga vitet ’90.