Kosova e Ballkani po vuajnë t’i kthejnë projektet infrastrukturore në investime konkrete
Biznes
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kosova e Ballkani po vuajnë t’i kthejnë projektet infrastrukturore në investime konkrete
Dimal basha - komuniteti i transportit
18/06/2026 - 14:21
Linku u kopjua

Në Selanik po mbahen punimet e Samitit të Investimeve në Transport, i cili ka mbledhur qeveri (Kosova përfaqësohet nga ministri i Infrastrukturës Dimal Basha), institucione të Bashkimit Evropian, institucione financiare ndërkombëtare dhe sektorin privat me synimin për të përshpejtuar investimet në transport në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet fqinje të BE-së.

Nën temën “Rritje dhe konkurrueshmëri përmes lidhshmërisë” samiti fokusohet në shndërrimin e prioriteteve strategjike të lidhshmërisë në projekte transporti të gatshme për investime, duke trajtuar zgjerimin e rrjetit TEN-T(rrjeti transevropian i transportit i BE-së), Korridorin Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik e privat, thuhet në një njoftim të Komuniteti të Transportit, një  organizatë kjo ndërqeveritare që synon integrimin e sektorit të transportit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh 6 miliardë euro financim, prej tyre 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Rreth 3 miliardë euro janë të dedikuara për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, tha se rajoni tashmë ka përcaktuar prioritetet dhe është përafruar me standardet e BE-së, por tani “duhet të kalojmë nga hartat dhe planet në zbatim të shpejtë”, duke kërkuar projekte më të përgatitura, institucione më të forta dhe financim të koordinuar.

Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Mark Boëman, vlerësoi se sfida kryesore mbetet realizimi i projekteve, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e përgatitjes së tyre, forcimin e institucioneve dhe mobilizimin e financimit publik e privat për të kthyer korridoret strategjike në investime konkrete.

Ndërkaq, numri dy i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, tha se lidhshmëria efektive është thelbësore për një Evropë konkurruese dhe të integruar, duke nënvizuar se projektet e transportit ndihmojnë në forcimin e tregtisë, investimeve dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, samiti shihet si një mundësi për avancimin e projekteve infrastrukturore dhe sigurimin e financimit për rrjete transporti më moderne, më të sigurta dhe më të lidhura me tregun evropian.

Një raport i Gjykatës së Auditorëve të BE-së, që u bë publik ditë më parë, kishte gjetur se projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin, rregullimin dhe përmirësimin e rrjetit të transportit në Ballkan, e të cilat janë të financuara nga Unioni, nuk janë gati për t’u përfunduar në vitin 2030, sikur që ishin përcaktuar afatet.  /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026