Kosova pa mëdyshje është një nga partnerët më të afërt dhe besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara.
Kështu ka thënë kongresmeni amerikan, Keith Self, në një seancë të Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Self u bëri thirrje disa vendeve evropiane që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur, pasiqë qëndrimi i tyre po e pengon përfshirjen e saj në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
“Për sa kohë që Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë ta njohin aleatin tonë ballkanik, nuk do të ketë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këta partnerë të NATO-s bashkohen me Kinën, Rusinë dhe Serbinë në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha ai.Sipas tij, në mënyrë që të mos rrezikohet përsëritja e së të kaluarës në Ballkan, hyrja e Kosovës në aleancë është element i rëndësishëm.
“Duke e shtuar në aleancë, Kosova do të shërbente si një kundërpeshë e nevojshme për të frenuar kundërshtarët tanë dhe për të parandaluar që një katastrofë globale të ndodhë përsëri në Ballkan, siç ka ndodhur në të kaluarën”.