Disa anëtarë të Kongresit amerikan i kanë bërë thirrje përmes një letre sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ta parandalojë kufizimin e mundshëm të trupave amerikane në Kosovë, duke thënë se një tërheqje e tillë rrezikon të shkaktojë paqëndrueshmëri jo vetëm vendin, por edhe rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë të ndikimeve keqdashëse.
Në letrën drejtuar Rubios më 11 mars, ata shprehën “shqetësim të thellë” me raportimet se administrata e presidentit Donald Trump mund të tërheqë një pjesë të forcave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Letra e tyre vjen pasi më 19 shkurt gazeta amerikane, Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë kufizimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë. Kongresistët dhe senatorët thanë tutje në letër se çdo kufizim trupave ushtarake amerikane mund të ketë pasoja të konsiderueshme jo vetëm për kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe të dobësojë rolin e KFOR-it si pengesë politike në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Tensionet ndërmjet komuniteteve etnike serbe në veri të Kosovës vazhdojnë mes veprimeve të vazhdueshme nga Qeveria qendrore e Kosovës që vazhdojnë të përkeqësojnë situatën në komunitete. Duke qenë se nuk ka përparim domethënës në dialogun Beograd-Prishtinë, një kufizim i trupave do të hiqte një mjet trysnie që mund t’i detyronte ato rikthimin në bisedime. Për më tepër, një prani e reduktuar amerikane mund të nxisë aktorë që e shohin tërheqjen e Perëndimit si një mundësi për të shkaktuar trazira”, thuhet në letër.I pyetur për këtë, Pentagoni i tha Radios Evropa e Lirë në një përgjigje se nuk kishte ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave.
Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Prej atëherë, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve fqinje ka ngecur dhe nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë, pavarësisht se palët u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të 2023-ës.
Ata përmendën se si Rusia ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë përçarjet në Ballkanin Perëndimor dhe të dobësojë mbështetjen e NATO-s dhe BE-së në rajon.
“Në prill 2024, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, Christopher Cavoli, dëshmoi para Kongresit se Rusia po nxit në mënyrë aktive tensione ndërmjet grupeve etnike për të minuar integritetin territorial të Bosnjës, gjë që ndikoi në vendimin e tij për të rritur dhe forcuar KFOR-in në numra dhe për të sjellë më shumë pajisje ushtarake”, thanë ata.
Nënshkruesit e letrës:
Michael R. Turner, kongresist
Gregory W. Meeks, kryetar i Grupit Demokrat në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë
Rick Larsen, kongresistCharles Grassley, senator
Thom Tillis, senator
Chris Van Hollen, senator
Peter Welch, senator