Komunat zbatojnë vetëm 39 për qind të rekomandimeve të ZKA-së
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua
Komunat e Kosovës kanë zbatuar vetëm 39 për qind të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2023.
Kjo u bë e ditur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë publikimit të analizës gjithëpërfshirëse për raportin e ZKA-së, ku mes tjerash u theksua se në bazë të të gjeturave ka keqmenaxhim të parasë publike nga komunat.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, tha se niveli i zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së për nivelin lokal ka rënë vitin e kaluar.
Ai përmendi disa prej arsyeve që sipas tij ka mundur të ndodh një gjë e tillë.
Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edheAuditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila tha se niveli lokal ka ngecje më shumë në zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Ajo tha se te niveli qendror dhe agjencitë e pavarura zbatimi i rekomandimeve është më i kënaqshëm.
Pjesëmarrës në publikimin e kësaj analize ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se kanë bërë progres në zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Mirëpo, ai tha se komunat nuk duhet të penalizohen për shkak të keq klasifikimit të shpenzimeve që dalin nga kontrata kolektive, e nënshkruar nga qeveritë e kaluara.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj, tha se raporti i kualifikuar për komunat nga Zyra Kombëtare e Auditimit jo shpeshherë ndërlidhet me punën ose mospunën e kryetarit të komunës.
Ai përmendi kontratën kolektive si barrë për komunat, derisa dha si shembull një vendim nga e kaluara.
Pjesë e tryezës në publikimin e kësaj analize ishin edhe deputetë nga Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, të cilët theksuan nevojën e zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së.