Kompania tajvaneze që fitoi 22 miliardë dollarë për 3 muaj, investon edhe 100 miliardë tjera në SHBA
Bota
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kompania tajvaneze që fitoi 22 miliardë dollarë për 3 muaj, investon edhe 100 miliardë tjera në SHBA
tsmc.tsmc
16/07/2026 - 14:13
Linku u kopjua

Gjiganti tajvanez i prodhimit të çipave, TSMC, ka njoftuar se do të investojë edhe 100 miliardë dollarë për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit në Shtetet e Bashkuara.

Me këtë, vlera totale e investimeve të planifikuara të kompanisë në SHBA arrin në 265 miliardë dollar, shkruan AP, transmeton KosovaPress.

Kompania më e madhe e prodhimit të çipave, që është furnizues kryesor i Nvidia dhe Apple, po zgjeron prodhimin për t'iu përgjigjur kërkesës në rritje për çipa të avancuar, e nxitur nga zhvillimi i inteligjencës artificiale.

TSMC njoftoi se do të ndërtojë edhe katër fabrika të reja në Arizona, të cilat do të prodhojnë çipa me teknologji 2 nanometra dhe më të avancuar. Gjithashtu, kompania njoftoi se rriti buxhetin e investimeve kapitale për këtë vit në 60 deri 64 miliardë dollarë.

Kryetari dhe drejtori ekzekutiv i TSMC-së, C.C. Wei, tha se investimi do të forcojë zinxhirin e furnizimit në SHBA dhe do të krijojë vende të reja pune me paga të larta. Ai shtoi se kërkesa globale për çipa të lidhur me inteligjencën artificiale mbetet jashtëzakonisht e fortë dhe pritet të vazhdojë të rritet deri në fund të dekadës.

TSMC raportoi gjithashtu fitim rekord prej 22 miliardë dollarësh për tremujorin prill-qershor, 77 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa të hyrat u rritën me 36 për qind. Pas këtyre rezultateve, kompania rriti parashikimin për rritjen e të hyrave gjatë vitit 2026 në mbi 40 për qind ndërsa u vlerësua se zgjerimi i investimeve është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesën në rritje dhe për të mbështetur rritjen afatgjatë të kompanisë.

Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe Tajvani arritën një marrëveshje për uljen e tarifave doganore të SHBA-së ndaj mallrave të vendit aziatik, pasi ky vend u zotua të investojë rreth 250 miliardë dollarë në sektorin teknologjik të Shteteve të Bashkuara, përfshirë industrinë e gjysmëpërçuesve. Në këtë paketë investimesh përfshihen edhe investimet e kompanisë TSMC.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026