Megjithëse politika e shtetësisë është kompetencë e Serbisë, numri në rritje i shtetasve rusë që, përmes marrjes së shtetësisë serbe, fitojnë mundësinë e hyrjes pa viza në Bashkimin Evropian (BE), përbën sfidë të mundshme sigurie për bllokun, vlerësoi Komisioni Evropian (KE).
Në dokumentin më të fundit të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e Serbisë në kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me sundimin e ligjit, thuhet se gjatë periudhës së fundit është rritur numri i shtetësive të dhëna për shtetasit rusë.
Ky dokument ishte çështje diskutimi në nivelin e diplomatëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në fund të majit.
“Serbia duhet ta përmirësojë kontrollin e kërkesave për viza të paraqitura nga shtetas të vendeve që konsiderohen me rrezik në aspektin e migracionit të parregullt ose të sigurisë”, thuhet më tej.Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për zonën Shengen për shtetasit rusë u rrit gjatë vitit 2025 në pothuajse 480.000, që është niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar tashmë se Serbia nuk do të vendosë viza për shtetasit rusë.
Aktualisht, 12 të ashtuquajtura vende të treta gëzojnë regjim pa viza me Serbinë, por jo edhe me BE-në: Armenia, Azerbajxhani, Bahrejni, Bjellorusia, Kina, Indonezia, Xhamajka, Kirgizi, Kazakistani, Rusia, Surinami dhe Turqia.
Me Agjendën e Reformave, Serbia është zotuar të vendosë regjim vizash për të paktën tri nga shtetet e përmendura.
Vlera e këtij detyrimi në kuadër të Planit të Rritjes është pak më shumë se 27 milionë euro.
Në Agjendën e saj të Reformave për Planin e Rritjes, Serbia kishte parashikuar zbatimin e këtij detyrimi deri në fund të dhjetorit 2024.
Megjithatë, Komisioni Evropian u ka miratuar të gjitha vendeve të rajonit një periudhë shtesë, të ashtuquajtur “grace period”.
Ndërkohë, para se të vendosë eventualisht viza për të paktën tri shtete, Komisioni Evropian kërkon nga Serbia që të ashpërsojë rregullat për lëshimin e vizave për shtetasit e vendeve që ende kanë regjim pa viza me Serbinë, por jo me BE-në.
Komisioni konsideron se në këtë mënyrë do të sigurohej kontroll më i madh dhe harmonizim më i mirë me standardet e BE-së, si dhe do të zvogëlohej fluksi i migrantëve të parregullt drejt Bashkimit Evropian nga shtetas të vendeve të treta që hyjnë në Serbi me viza të vlefshme