Përfaqësuesja A e Kosovës (Femrat) tash e disa ditë ka filluar stërvitjet për tu përgatitur për ndeshjet në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian të Shteteve të Vogla, që do të zhvillohet në Qipro prej 28 qershor deri më 3 korrik në Nicosia të Qipros.
Rreth atmosferës në Përfaqësuese dhe për rrjedhën e përgatitjeve në ditët e para, ka folur përzgjedhësi i Kosovës, Fidan Shatri: “Çdo fillim është motivues, sidomos kur bëhet fjalë për Përfaqësuesen e Kosovës, entuziazmi është maksimal, si nga vajzat, ashtu edhe për stafin. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që po i mbrojmë ngjyrat e shtetit dhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ngjyrave të shtetit mundohemi që ta japin maksimumin”.
Vashat “Dardane” do ti zhvillojnë katër ndeshje për gjashtë ditë dhe sipas Shatrit ky ritëm i ndeshjeve mundet të shkaktojë vështirësi.
Këtë vit në listën e gjerë të Përfaqësueses janë ftuar edhe disa lojtare të reja që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit. “Lista është baza e vitit të kaluar, pasi që edhe në 2021 jemi munduar që ta kombinojmë listën me lojtarë me përvojë, të cilat ndër vite kanë kontribuar në basketbollin e femrave dhe lojtareve të reja, prej të cilave presim shumë në të ardhmen. Po mendoj që kjo ecuri nga 2021 dhe ky vit të jetë një themel i një baze të Përfaqësueses që të jetë një vazhdimësi edhe viteve të ardhshme”.
Në fund përzgjedhësi i Kosovës ka edhe një mesazh për vashat “Dardane”. “Mesazhi për vajzat të cilat janë të ftuara është që të japin maksimumin, pasi që duhet të krenohen që përfaqësojnë ngjyrat dhe flamurin e shtetit duke u paraqitur sa më mirë në këtë Kampionat Evropian, ndërkaq për tifozët Dardanët, shpresojmë të kemi përkrahjen e njëjtë si vitin e kaluar edhe këtë vit”.
Vashat “Dardane” në vitin e kaluar janë stolisur me medaljen e bronztë, në pjesëmarrjen e tyre të parë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.