KMDLNj: Të hetohet urgjentisht ZRrE-ja, kompensimi i qytetarëve të bëhet brenda tre muajve
Lexohet për: 4 min.
rryma
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Kushtetuese të hënën ka marrë vendim që mbi 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve të energjisë elektrike, të cilët e kanë paguar rrymën për serbët në katër komunat në veri të Kosovës, bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Për këtë çështje ka reaguar të martën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ku ka kërkuar që kompensimi i qytetarëve të bëhet brenda tre muajve.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që qytetarët - konsumatorët e Kosovës që nuk janë serbë apo që nuk kanë jetuar në komunat me shumicë serbe të kompensohen me 40 milionë euro që që me vetëdije të plotë janë plaçkitur nga ZRrE përmes fryejes së faturave në periudhën 2012 - 2017, mjete që pastaj janë keqpërdorur për t'ua paguar faturat serbëve dhe të tjerëve në komunat me shumicë serbe. KMDLNJ- ë, që nga përfundimi i luftës ka ngritur zërin për këtë diskriminim flagrant në baza etnike dhe politike të konsumatorëve të energjisë elektrike e që Avokati i Popullit, në përputhje me mandatin kushtetues e ka adresuar këtë shkelje në gjykatat kompetente të cilat fillimisht kanë kërkuar që të ndërpritet me pagesën diskriminiuese të faturave dhe, në të njëjtën kohë që të kompensohen qytetarët e Kosovës nga ZRrE që në mënyrë kriminale i ka plaçkitur 95 % të qytetarëve për dobi të 5 % të qytetarëve”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas Këshillit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës siguron vetëm drejtësi të pjesshme (nëse ata do të kompensohen për plaçkitjet nga ZRrE) ndërsa ndjekja penale e plaçkitësve do ta bënte të plotë mozaikun e kompensimit.

“Në kohën e kryeministrit Haradinaj, pas një takimi të KMDLNj- së dhe kërkesës për kompensim ishte bërë një kompensim i papërfillshëm që zgjati dy - tre muaj, me shumë simbolike 2-3 euro dhe aty përfundoi sepse nuk kishte një vendim të formës së prerë (detyruese) për kompensim. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensim, qytetarët - konsumatorët e plaçkitur nga ZRrE nuk duhet të pranojnë të kompensohen përmes faturave por duhet të kërkojnë të kompensohen me euro përfshirë këtu kamatat e rregullta dhe ndëshkuese që i përcakton autoriteti kompetent, në përputhje me shkallën e inflacionit dhe çmimin e energjisë elektrike. Si mbikëqyrës i procesit të zhdëmtimit të qytetarëve - konsumatorëve të plaçkitur nga ZRrE duhet të jetë një komision i pavarur nga Kuvendi i Kosovës që do të udhëhiqej nga opozita dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.  ZRrE do të bëjë përpjekje që të bishtënojë në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por se duhet të caktohet një afat kohor, maksimumi 3 muaj që të përfundojë ky kompensim”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ- ë thërret publikisht Prokurorin e Shtetit ta hetojë bazën ligjore në bazë të së cilës, që nga përfundimi i luftës iu janë paguar faturat e rrymës nje 5 % të qytetarëve duke dëmtuar 95 %, në baza etnike dhe politike që përbënë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe që të merren masa ligjore ndaj shkelësve eventualë pavarësisht cilës qeveri i kanë takuar apo i takojnë.

“KMDLNj kërkon hetime urgjente ndaj ZRrE, ministrave Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, Artane Rizvanolli dhe Rozeta Hajdari për vazhdimin e trajtimit diskriminues të qyetarëve - konsumatorëve të Kosovës në baza etnike dhe politike, qoftë duke paguar fatura, qoftë edhe duke shpërndarë fatura fiktive lineare pre 21ceutosh pavarësisht se mund të kenë shpenzuar rrymë disa qindra euro gjatë periudhës së faturimit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024