Klubi nga Irlanda e Veriut, Larne FC, ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të mbrëmshëm në ndeshjen kualifikuese të UEFA Champions League kundër Crvena Zvezda në Inver Park.
Gjatë pjesës së parë, mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay është shfaqur një flamur me përmbajtje politike "Kosova është Serbi".

Mirëpo klubi irlandez e bëri të ditur se nuk e ka promovuar qëllimisht këtë mesazh përmes një deklarate.
"Larne FC është në dijeni të një fotografie që po qarkullon nga ndeshja e mbrëmshme e UEFA Champions League kundër FK Crvena Zvezda në Inver Park. Gjatë pjesës së parë, një flamur me përmbajtje politike u shfaq mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay. Sapo kjo u vu re, stafi i sigurisë së stadiumit reagoi menjëherë për ta hequr flamurin.""Ky individ nuk është tifoz i Larne FC dhe ishte i pranishëm si neutral në tribunën vendase. Si klub, theksojmë edhe një herë që simbolet dhe shfaqjet politike nuk kanë vend në futboll."
Provokime të tilla janë ndëshkuar më parë nga UEFA.
Larne FC, klub nga NIFL Premiership i Irlandës së Veriut, këtë verë po luan në kualifikueset e Champions League, pasi vitet e fundit ka hyrë në histori si klubi i parë veroirlandez në fazën e grupeve të Conference League.
KosovaPress