Klina feston rikthimin e Sokol Bashotës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
sokol bashota
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Qindra qytetarë sot u mblodhën në Klinë për të pritur ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashotën.

Me pankarta në duar qytetarët u stacionuan për daljen e Bashotës. Nuk vonoi shumë e ky u fundit iu bashkëngjit turmës që ishin mbledhur për të. Me përqafime e përshëndetje u prit ish kryetari i komunës.

Me marrshim me qytetarët e komunës së Klinës, Sokol Bashota fillimisht u drejtua drejt shtatores së komandantit Mujë Krasniqi për homazhe.

Ai në pritjen e organizuar nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila u mbajt në sheshin “Mujë Krasniqi”, në Klinë, tha se pushimi i hetimeve 5 vjeçare ndaj tij, është inkurajim për të dhe bashkëluftëtarët e tij.

“Jo vetëm këtu por çdokënd, edhe atje, në çdo institucion, të thuhet vetëm e vërteta, e vërteta për luftën e UÇK-së, e vërteta për qytetarët e këtij vendi, për punën e secilit. Kjo do t’i mjaftojë të gjithëve dhe epilogu i gjithë kësaj do të jetë i njëjti për të gjithë sikurse edhe për mua. Unë personalisht nuk është se nuk i gëzohem faktit që kanë pushuar hetimet ndaj meje por më shumë me gëzon fakti se ata dëshmuan edhe një herë se lufta e UÇK-së ishte e pastër. Këtë barrë 5 vjeçare që e kam pas jo rrallë ka ndikuar edhe në proceset dhe angazhimet e mija politike, për arsye se na kishte veshur diçka që nuk e kishim asnjë faj por më në fund, e vërteta doli në shesh, prandaj ky vendim është inkurajim jo vetëm për mua por për të gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së”, tha ai.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka nevojë të mbrohet atje, pasi atë e mbron qëllimi dhe lufta e drejtë por edhe sakrifica dhe kudo.

Në këtë pritje ishin me qindra qytetarë e bashkëluftëtarë që kishin dal për t’i uruar mirëseardhje ish- anëtarit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së

Hajdin Balaj, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, tregon se të gjithë të burgosurit do të kthehen së shpejti faqebardhë nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ndër qytetarë ishte edhe Izet Milazimi, i cili dëshiron që Bashota të rikthehet përsëri në pozitën e kryetarit të komunës.

Pas fjalimit të Sokol Bashotës, qytetarët shfrytëzuan rastin që të bëjnë fotografi me të. Nuk kaloi shumë e turma u shpërnda.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025