Pretendimet për keqpërdorim dhe konflikt interesi në ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë, do të qartësohen gjatë këtyre ditëve, deri në fund të dhjetorit. Kështu bëjnë të ditur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Pas presionit publik, ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga ministri Faton Peci ka pezulluar përkohësisht grantet për vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe këshilltarit e ministrit në fjalë, Naim Huruglica më 22 nëntor 2024 deri në një vendim të APK-së.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj në një intervistë për KosovaPress thotë se është në proces rasti ku vetë Ministria e Bujqësisë ka kërkuar që pretendimet publike për konflikt interesi dhe parregullsi të trajtohen nga kjo agjenci.
Përkitazi me këtë kërkesë, ai thotë se ‘pika mbi këto pretendime’ do të vendoset brenda vitit 2024, duke nxjerrë vendimin adekuat të bazuar në ligj.
Për këtë proces, KosovaPress ka provuar të merr përgjigje edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetja Fitore Pacolli, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.Lidhur me këtë rast, raportohet se akuzat i mohoi vëllai i deputetes, duke thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar grantin.
https://kosovapress.com/ldk-dorezon-kallezim-ndaj-pecit-dhe-pacollit