Klubi i futbollit KF Llapi ka reaguar zyrtarisht pas humbjes minimale 1-0 ndaj KF Drenica, duke ngritur shqetësime serioze për ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje.
Skuadra nga Podujeva ka theksuar se një vendim i diskutueshëm i gjyqtarit anësor ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final. Sipas tyre, në një moment kyç të takimit, një aksion premtues u ndërpre gabimisht me arsyetimin se topi kishte dalë jashtë vijës, duke i mohuar ekipit një mundësi të pastër shënimi.
“Në një kohë kur sistemi VAR është në funksion, është e pakuptueshme pse nuk u lejua vazhdimi i aksionit, në mënyrë që situata të verifikohej më pas me korrektësi. Nëse aksioni do të lejohej të zhvillohej dhe eventualisht do të shënohej gol, VAR-i do të kishte mundur të jepte vendimin përfundimtar” – shkroi në reagimin zyrtar, KF Llapi.
Kjo humbje vjen në një moment delikat për Llapin, i cili është i përfshirë në luftën për mbijetesë, ndërsa fitorja i ka dhënë shtysë të madhe Drenicës në garën për të shmangur rënien nga liga.
KosovaPress