Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka anuluar sot një aktivitet në Viti ku pritej të merr pjesë në përurimin e një çerdhe në fshatin Dobreshë dhe një shkollë në fshatin Pozheran të kësaj komune.
Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për shtyrjen e përurimit të shkollës "Halil Alidema" në Pozheran, duke e cilësuar këtë si një vendim politik të pabazuar.
“Sigurisht që ky është një vendim politik, për qëllime të fushatës elektorale, dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës. Jemi të sigurt se, nëse nuk do të paralajmërohej përurimi, sot nxënësit pozheranas do të fillonin mësimin në shkollën e re. Por dëshira e sëmurë e kryetarit Haliti për protagonizëm i la edhe këtë javë nxënësit në shkollën e vjetër. E rëndësishme është që objekti i ri është gati, dhe nxënësit do t'i kthehen asaj së shpejti. Kthimi i nxënësve në shkollën e re nuk mund të ndalet për qëllime politike të dikujt, qoftë ai edhe kryetar komune”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Megjithatë, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti përmes një postimi po ashtu në faqen zyrtare të komunës ka njoftuar se përurimi i objektit të ri të shkollës "Halil Alidema" në Pozheran dhe çerdhes publike në Drobesh, i planifikuar për 8 janar 2025, do të shtyhet.“Unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, citohet Haliti në njoftimin e komunës.
Derisa KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit lidhur me anulimin e këtyre aktiviteteve, të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme. Ndërkaq, sot Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë anuluar aktivitetet e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të parapara që të mbahen ditën e sotme në Viti, porse pa dhënë më shumë detaje.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ditën e nesërme, me 8.01.2025, do të zhvilloj disa aktivitete në Viti. Në ora 10:00, përurimi i shkollës “HalilAlidema” në Pozheran të Vitisë Në ora 11:00, përurimi i çerdhes në fshatin Dobresh të Vitisë (Objekti i adaptuar nga shkolla në çerdhe)”, ishte thënë njoftimin e mbrëmshëm nga MASHT.