Gjykata e Apelit në Beograd ka refuzuar ankesën e Milan Radoiçiqit ndaj vendimit që kishte hedhur poshtë padinë e tij kundër politikanes serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, për pretendime për cenim të nderit dhe reputacionit për shkak të deklaratave të saj që e lidhnin me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Gjykata e Apelit në Beograd më në fund e ka refuzuar ankesën e Milan Radoiçiqit ndaj vendimit për refuzimin e padisë së tij kundër meje”, ka deklaruar vetë Trajkoviq, e cila tha se ankesën në emër të Radoiçiqit e kishte paraqitur avokati i tij, Goran Petronijeviq.
Ajo gjithashtu iu referua akuzave të ngritura ditët e fundit ndaj avokatit Petronijeviq, për të cilin, sipas saj, pretendohet se është “avokat i SNS-së për detyra speciale dhe presione ndaj atyre që regjimi nuk ka arritur t’i blejë apo t’i thyejë”.
“Historia do të gjykojë”, ka shtuar ajo, transmeton Kossev, përcjell KosovaPress.Radoiçiq e kishte paditur Trajkoviqin në vitin 2019, duke kërkuar pesë milionë dinarë dëmshpërblim, pasi ajo në deklaratat e saj publike e kishte lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe e kishte akuzuar për ndikim në veri të Kosovës.
Gjykata e Lartë në Beograd në vitin 2021 e kishte refuzuar padinë, duke vlerësuar se deklaratat e Trajkoviqit kishin të bënin me çështje me interes publik dhe se Radoiçiq, si figurë publike, duhet të përballojë një nivel më të lartë kritikash.