Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”, lidhur me dyshimet për pajisje të kundërligjshme të kandidatëve me patentë shoferë në Pejë.
Aktakuza prej 391 faqesh përfshin 12 të pandehur, të cilët dyshohet se përmes veprimeve të kundërligjshme u kanë mundësuar kandidatëve të autoshkollave të ndryshme kalimin e testeve teorike dhe praktike për patentë shofer, thuhet nw komunikatwn zyrtare tw Prokurorisw.
Aty thuhet se i pandehuri A.Sh., në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, gjatë periudhës 2021 deri më 23 korrik 2024, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare duke mos zbatuar Ligjin për Patentë Shofer dhe udhëzimet administrative për organizimin dhe mbajtjen e provimeve.
Ndërsa e pandehura T.Sh., në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se gjatë viteve 2021-2024 ka ndihmuar kandidatët në kalimin e testit teorik duke u treguar përgjigjet e sakta dhe duke lejuar testime edhe pa dokumentacion të kompletuar.
Veprime të ngjashme dyshohet se janë kryer edhe nga M.Sh., po ashtu pyetëse e pjesës teorike, e cila sipas aktakuzës ka vepruar në kundërshtim me detyrat zyrtare për përfitime pasurore.
Ndërkaq, të pandehurit B.K. dhe N.D., në cilësinë e ekzaminuesve të pjesës praktike, dyshohet se kanë organizuar testime praktike jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me udhëzimet administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa i përmbushur kriteret ligjore.
Të pandehurit M.I., D.T. dhe M.D., në cilësinë e përfaqësuesve të autoshkollave, akuzohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, ndërsa B.B. dhe F.Z. akuzohen për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.