Qelaj: Vazhdimi i paraburgimit në rastin Thaçi dhe të tjerët mbetet shqetësim kryesor
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Qelaj: Vazhdimi i paraburgimit në rastin Thaçi dhe të tjerët mbetet shqetësim kryesor
sewr
04/07/2026 - 11:20
Linku u kopjua

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, e konsideron vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë si një nga shqetësimet kryesore në këtë fazë të procesit gjyqësor.

Pas njoftimit të Dhomave të Specializuara se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, Jakaj thotë se shtyrja e vendimit nuk paraqet problem në vetvete, por se arsyetimi i gjykatës dhe vazhdimi i paraburgimit ngrejnë shqetësime serioze.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka thënë për KosovaPress se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit ka qenë e pritshme, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është zhvilluar procesi gjyqësor. Megjithatë, ai ka theksuar se shqetësuese mbeten arsyetimi i gjykatës për volumin e provave dhe dokumenteve, si dhe vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarve në këtë fazë të procesit.

“Në rrethanat në të cilat është zhvilluar vetë procesi gjyqësor, për mua ka qenë i pritshëm shtyrja e vendimit. Tani më sa duket është përfundimtare sepse është caktuar data edhe ora. Shtyrja e shpalljes së vendimit nuk paraqet ndonjë problem, por shqetësim mbeten arsyet që janë dhënë nga gjykata në atë që ka shumë prova, ka shumë dokumente që duhet me u shqyrtua deri në vendimmarrje. Mendoj që procesi i shqyrtimit të provave dhe i analizimit të tyre ka përfunduar gjatë procedurës së shqyrtimit të provave.. Dhe aspekti i dytë i shqetësimit lidhet me vazhdimin e paraburgimit në këtë fazë, sepse tani më nuk ka arsye dhe shumica e arsyeve për të cilat është caktuar paraburgimi nuk ekzistojnë. Mundësia e ndërhyrjes te dëshmitarët nuk ekziston sepse dëshmitarët veç e kanë kryer procesin e dhënies së dëshmive. Ndikimi në prova nuk mund të jetë sepse provat veç janë në gjykatë. Dhe, të marrë parasysh kohëzgjatjen e paraburgimit, natyrisht është një prej shqetësimeve kryesore që unë e kam si Avokat i Popullit”, thotë Qelaj.

Qelaj ka thënë se shqetësimet e tij lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara janë paraqitur qysh në vitin 2021, pas vizitës së parë që kishte zhvilluar në këtë institucion. Sipas tij, këto shqetësime i janë paraqitur edhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi në Kosovë, edhe përmes letrave, por nuk ka marrë përgjigje.

Për shkak të mungesës së përgjigjes nga gjykata, Qelaj ka thënë se ka angazhuar një organizatë ndërkombëtare të pavarur për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, e cila ka hartuar një raport për shqetësimet e ngritura.

Ai ka bërë të ditur se muajin e kaluar është mbajtur një takim në Hagë me misionet diplomatike të vendeve të akredituara në Holandë, ku janë prezantuar gjetjet e raportit. Jakaj ka thënë se në këtë takim ishte ftuar edhe gjykata, por nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka kthyer përgjigje.

Rreth raportit, avokati i popullit ka thënë se Kosova duhet të krijojë mekanizma të monitorimit në Hagë, me qëllim të ketë një analizë më të detajuar të të gjithë procesit, në mënyrë që mos të cenohen të drejtat e njeriut.

Rikujtojmë se Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Më pas, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026, ndërsa tash ka caktuar datën 16 shtator për shpalljen e aktgjykimit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë viteve 1998-1999, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Që të katërtit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm. Aktakuza përfshin rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe secili prej tyre të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Në këtë proces kanë dëshmuar mbi 130 dëshmitarë, ndërsa janë pranuar me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë. Gjyqi ndaj tyre ka përfunduar në shkurt, ndërsa Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbahen në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në vitin 2020. /A. Shala/ 


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026