“Ishte i jashtëzakonshëm”, shqiptari shpëtoi pasagjerin serb që gati ra nga avioni
*Foto The Guardian
U nis nga Greqia në Gjermani për të festuar ditëlindjen e vëllait të tij, por në fakt Ljubisa Karoviq përfundoi me kokën dhe krahun e djathtë jashtë dritares së avionit në një lartësi mbi 4500 metra, ndërsa mjeti lëvizte me një shpejtësi prej më shumë se 600 kilometra në orë.
Afër pasagjerit serb ishte e ulur gruaja e tij, Svetlana, e cila shpjegoi ngjarjen si dëshmitarja më e afërt. Sipas saj, shpëtimtar doli një shqiptar që u cilësua si “i jazhtëzakonshëm” për shkathtësinë që tregoi në ato momente kritike.
“Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Ai bëri gjithçka që mundi për ta tërhequr brenda dhe më pas u përpoq të bllokonte dritaren, fillimisht me një çantë, e cila u thith menjëherë jashtë, dhe më pas me një valixhe, e cila funksionoi. Do t’i jemi mirënjohës përgjithmonë”.
Ljubisa Karoviq kujton shpërthimin pak para se të thithej jashtë avionit nga ulësja 11F e linjës së fluturimeve Ryanair. Pas 11 ditësh, ai ka vështirësi të flejë natën sepse ende e përcjell zhurma e fuqishme e thyerjes së dritares që e zgjoi nga gjumi atë ditë.
Mirëpo, Karoviq e ndjen veten fatlum.
“Jam me fat”, tha ai për The Guardian. “Koka dhe qafa ende më dhembin, por jam ende gjallë. Mund të ketë qenë rripi i sigurimit, fakti që isha ende i lidhur me të. Por ndoshta ishte fati. Unë besoj në Zot dhe e falënderoj çdo ditë”, përfundon ai.
Avokati Vasilis Tsiaras e përshkruan babanë e dy fëmijëve, me trup të dobët, si një njeri që “është gjallë rastësisht” dhe përmend se në ndihmë të tij u dolën pasagjerët dhe jo stafi i avionit.
“Të gjithë janë pajtuar se ekuipazhi ishte në gjendje shoku, i frikësuar se avioni mund të rrëzohej. Ishin pasagjerët e tjerë ata që u organizuan për ta ndihmuar dhe i dhanë Ljubisës ujë”, thotë ai.
Edhe pse ka qarkulluar dezinformata se ky është i vetmi rast i tillë, në vitin 1990, Timothy Lancaster, një pilot i British Airways, gjithashtu mbijetoi pasi u nxor gjysmë jashtë kabinës së pilotimit kur xhami i përparmë i saj u shkëput mbi Oxfordshire.