Instituti amerikan Robert Lansing ka shprehur shqetësime për sulme të reja nga Serbia në Kosovë, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit.
Në një raport të publikuar të hënën thuhet se ky shqetësim shtohet nga vëzhgimi i një grupi të organizuar të pajisur me mbështetje logjistike dhe armatim të rëndë që thuhet se është furnizuar nga Beogradi.
Instituti thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër nën regjimin e Slobodan Milosheviqit tregoi arrogancën e tij gjatë diskutimeve të fundit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në turneun e tij diplomatik në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në një takim të përbashkët në Beograd në fund të nëntorit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimin, duke deklaruar se përqendrimi i forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën po përkeqëson situatën tashmë të tensionuar mes dy kombeve. Vuçiq, si kundërpërgjigje, tregoi mungesën e interesit të tij për të mbajtur një lidhje të ngushtë me NATO-n dhe BE-në, duke pohuar: "Ku dhe si e pozicionojmë ushtrinë tonë, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe pa paraqitur kërcënime, bie në juridiksionin tonë kombëtar", përkujton raporti.
Instituti ndër tjera në raport përmend edhe paralajmërimet e presidentes Vjosa Osmani para samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, duke lënë të kuptohet për sulme të mundshme të mëtejshme nga Serbia.
“Ajo theksoi peshën e situatës, duke u zotuar të informojë të gjithë liderët evropianë, bazuar në informacionin e marrë nga organizatat e sigurisë, duke u kërkuar atyre që ta trajtojnë alarmin me seriozitetin maksimal”, theksohet në raport.
“Serbia, përkundër pranisë së NATO-s, vazhdon të përbëjë një kërcënim lufte për Kosovën, duke demonstruar një shkallë të mospërputhjes me direktivat e NATO-s. Ekziston shqetësimi se Serbia po synon strategjikisht të krijojë një front të dytë për Perëndimin duke mbështetur përpjekjet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, përmendet në raport.
Instituti amerikan thotë se nëse njohja e Kosovës mbetet një parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, një skenar për të cilin Vuçiq ka qenë i kujdesshëm, një njohje e tillë mund të mbetet e pakapshme.