Inflacioni arrin në 6.7 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Inflacioni arrin në 6.7 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta
10/04/2026 - 22:26
Linku u kopjua

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit mars, duke reflektuar një inflacion vjetor prej 6,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore rritja ka arritur në 1,5%, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës, transmeton KosovaPress.

Sipas raportit për muajin mars, të dhënat tregojnë se niveli i përgjithshëm i çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive kryesore të konsumit. Rritjet më të theksuara janë regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit (+42,5%), biletat e fluturimeve (+38,4%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me banimin (+31,9%).

Po ashtu, rritje e konsiderueshme është vërejtur te energjia elektrike (+17,4%), karburantet dhe lubrifikantët (+17,4%), si dhe lëndët djegëse si dru zjarri dhe pelet (+15,6%). Ndikim në rritjen e inflacionit kanë pasur edhe pushimet e organizuara (+13,2%), pemët (+13,1%) dhe mishi (+12,4%).

Rritje çmimesh janë evidentuar edhe në një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh të tjera, përfshirë kafen, çajin dhe kakaon (+7,8%), shërbimet hoteliere (+6,9%), produktet ushqimore (+6,8%), si dhe ëmbëlsirat dhe produktet e sheqerit (+5,7%). Po ashtu, janë shtrenjtuar edhe shërbimet ambulantore, kujdesi personal dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake.

Në baza mujore, krahasuar me shkurtin 2026, rritja prej 1,5% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport (+25,8%), si dhe nga rritja e çmimeve të perimeve (+3,7%), pemëve (+1,5%) dhe mishit (+0,3%).

Ndërkohë, disa kategori kanë shënuar ulje të çmimeve gjatë kësaj periudhe, përfshirë energjinë elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta (-2,2%), të cilat kanë zbutur pjesërisht rritjen e përgjithshme të çmimeve.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026