IKD padit Kuvendin për 'ndërhyrje' në mandatin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
IKD padit Kuvendin për 'ndërhyrje' në mandatin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës
Kuvendi i Kosoves
Foto Ilustruese
20/05/2026 - 11:35
Linku u kopjua

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar padi në Gjykatën Administrative të Republikës së Kosovës kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar anulimin e Vendimit Nr.10-V-276/1, të datës 27 prill 2026, lidhur me ndërprerjen para kohe të mandatit të Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, transmeton KosovaPress.

Përmes kësaj padie, IKD kundërshton mënyrën se si Kuvendi ka ndërprerë mandatin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, i cili sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës kishte mandat trevjeçar deri më 15 dhjetor 2026.

Në padi thuhet se vendimi i Kuvendit është i kundërligjshëm dhe arbitrar, pasi që përmes tij është shfuqizuar vendimi paraprak për emërimin e Komisionit dhe është zëvendësuar e tërë përbërja e tij pa asnjë bazë të qartë ligjore, pa procedurë të rregullt dhe pa arsyetim juridik.

Sipas IKD-së, Ligji për Provimin e Jurisprudencës i jep Kuvendit kompetencë vetëm për emërimin e anëtarëve të Komisionit, por nuk parasheh kompetencë për ndërprerjen e mandatit të tyre para kohe. Në padi theksohet se mungesa e dispozitave ligjore për shkarkim apo ndërprerje të mandatit nuk mund të interpretohet si autorizim për ndërhyrje arbitrare në mandatin e një organi të pavarur profesional.

Specifikisht, në padi ndër të tjera potencohet se “kompetenca për emërim nuk e përfshin automatikisht edhe kompetencën për ndërprerje të mandatit para kohe. Sikur ligjvënësi të kishte synuar t’i jepte Kuvendit të drejtën për shkarkimin apo zëvendësimin e përbërjes së Komisionit gjatë mandatit, këtë do ta kishte përcaktuar shprehimisht në ligj duke përcaktuar bazat, procedurën dhe standardet për ushtrimin e kësaj kompetence. Kjo qasje është ndjekur në legjislacionin që rregullon organe të tjera të pavarura”.

Po ashtu, IKD në padi ka theksuar se vendimi i kontestuar nuk përmban asnjë arsyetim lidhur me nevojën për ndërprerjen e mandatit të Komisionit ekzistues, nuk identifikon asnjë shkelje konkrete nga ana e anëtarëve të Komisionit dhe nuk jep asnjë shpjegim mbi bazën ligjore që ka shërbyer për zëvendësimin e tij para përfundimit të mandatit ligjor.

Në këtë drejtim, IKD konsideron se vendimi i Kuvendit është nxjerrë edhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi mungon arsyetimi juridik dhe faktik i aktit administrativ, duke cenuar parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe pritshmërive legjitime.

Për më tepër, IKD në padi ka theksuar se kjo mënyrë e veprimit krijon precedent të rrezikshëm institucional, pasi nënkupton se mandatet e organeve profesionale të emëruara me ligj mund të ndërpriten në çdo kohë pa kritere të qarta ligjore dhe pa procedurë të rregullt.

IKD gjithashtu ka rikujtuar standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO127/21, lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sipas të cilit mandatet e organeve të pavarura nuk mund të ndërpriten në mënyrë kolektive dhe pa arsyetim konkret individual.

Në padi, IKD ka vlerësuar se Provimi i Jurisprudencës paraqet mekanizëm me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë, pasi ndikon drejtpërdrejt në vlerësimin profesional të juristëve që synojnë ushtrimin e funksioneve kyçe në sistemin gjyqësor dhe juridik në Republikën e Kosovës. Për këtë arsye, sipas IKD-së, përbërja dhe funksionimi i Komisionit duhet të mbështeten në parimet e pavarësisë, stabilitetit institucional dhe ligjshmërisë.

Përmes kësaj padie, IKD i ka propozuar Gjykatës Administrative që ta aprovojë padinë si të bazuar dhe ta anulojë Vendimin Nr.10-V-276/1 të Kuvendit të Republikës së Kosovës si të kundërligjshëm.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026