Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas nisjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se Kosova po mbetet gjithnjë e më e izoluar për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti në politikën e jashtme.
Sipas Hoxhajt, zhvillimet e fundit tregojnë se "dështimet që po sjellin pasoja serioze për Kosovën nuk janë më lajme të reja", por janë shndërruar në "një model qeverisjeje".
Hoxhaj, pjesë e PDK-së, ka paralajmëruar se pasojat nuk do të kufizohen vetëm në fushën e diplomacisë, por do të prekin edhe sektorë të tjerë me rëndësi për vendin.
"Pasojat e këtyre dështimeve nuk do të mbeten vetëm në diplomaci. Ato do të reflektohen në sigurinë tonë, në zhvillimin ekonomik, në investimet e huaja, në sektorin e energjisë dhe në aftësinë e Kosovës për të avancuar drejt integrimit euroatlantik. Në politikën ndërkombëtare, çdo hap prapa krijon avantazh për dikë tjetër", ka theksuar ai."Kosova nuk mund ta lejojë luksin e izolimit. Ne jemi shtet që kemi ndërtuar lirinë dhe pavarësinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë perëndimorë. Prandaj, rikthimi i besimit me SHBA-në dhe rivendosja e Dialogut Strategjik duhet të jetë prioritet kombëtar", ka përfunduar Hoxhaj.