“Holbrooke ma preku tytën e automatikut” – “Lum Haxhiu” e kujton takimin me njeriun e Amerikës
Rrafsh 28 vjet më parë nga ky 24 qershor, Ushtria Çlirimtare të Kosovë e mori njohjen zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atë e solli simbolikisht, Richard Holbrooke, ish-emisari special i ish-presidentit Bill Clinton, duke e realizuar takimin e parë me luftëtarët e lirisë në Junik dhe Rekë të Keqe.
Aty, në pamjet që do ta merrnin dhenë gjithandej globit, diplomatin që erdhi me kollare e më shumë përcjellës do ta prisnin në një odë të uniformuar e të armtasur, Hajdin Abazi dhe Gani Shehu.
I pari, që atëbotë njihej me nofkën “Lum Rexhepi”, i foli KosovaPressit në këtë përvjetor duke e kujtuar këtë takim historik për Kosovën. Kjo, derisa rikujtoi se ishte pikërisht shtabi i UÇK-së për Junik dhe Rekë të Keqe që i kishin deleguar atë dhe Shehun si përfaqësues për komunikim me publikun dhe të gjithë ata që vinin nga jashtë për t’i vizituar në Junik ose për t’i kontaktuar.
E fati e deshi të jenë nikoqir të zyrtarit më të lartë që Amerika e dërgoi në Kosovë në ato ditë të vështira. Dhe, sipas tij, vizita e Holbrooke kishte mision legalizimin para botës të luftës së drejtë çlirimtare të popullit shqiptar.
“Zoti Holbrooke kishte ardhur me një mision të veçantë. Ai kishte ardhur për ta legalizuar luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar, për ta legalizuar në opinionin ndërkombëtar, duke u takuar zyrtarisht dhe publikisht me uniformat, me njerëzit që ishin me uniformat e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, e që rastësisht qëllova unë dhe Gani Shehu. Ne kemi qenë të papërgatitur, nuk kemi pasur ndonjë paralajmërim paraprakisht, por para se të vinte zoti Holbrooke, kishte dërguar emisarët e tij që të më merrnin vesh a e pranojmë apo jo, dhe natyrisht që do të ishte çmenduri të refuzohej takimi i tij kur kishim pritur me vite e dekada që Amerika ta kthente vëmendjen nga ne, dhe kështu edhe Perëndimi”, tha Abazi për KosovaPress.
Abazi kujton se emisari special i Shteteve të Bashkuara i soli dy mesazhe dha gjatë takimit me përfaqësuesit e UÇK-së. Por cili ishte i pari?
“Një: po qe se ju do të pranoni ndihma nga vendet e lindjes dhe konkretisht e përmendi Iranin, atëherë ju mund të fitoni ndonjë betejë, por do ta humbni luftën sepse Perëndimi nuk do t'ju përkrahë. Ndërsa, po qe se ju do të koordinoheni, bashkërendoheni me Departamentin Amerikan, edhe nëse i humbni të gjitha betejat, luftën do ta fitoni. Natyrisht, kjo ishte diçka që as ëndërr s'kishim mund ta shihnim se do të vijë një kohë kur Amerika do të na e thoshte këtë. Dhe natyrisht unë i premtova se lufta jonë është luftë çlirimtare, nuk ka të bëjë asgjë me religjionin, nuk ka të bëjë asgjë me lindjen, po ka të bëjë me vlerat demokratike dhe me vlerat tona kombëtare”, tha Abazi për KosovaPress.
Ndërsa, mesazhi i dytë ishte mjaft simbolik dhe u dha nga Holbrooke krejt në fund të takimit.
“Dhe e dyta që ai në fund e tha pas gjithë atij debati ishte se unë po e mbaja automatikun kështu, ai me dy gishtat e preku tytën e automatikut edhe tha: 'Bëhuni të fortë pas kësaj, se vetëm gjuhën e kësaj e merr vesh Millosheviqi’. Kështu kaloi përtej diplomacisë dhe u dha një mesazh të qartë që vetëm lufta çlirimtare mundet ta çojë Kosovën drejt fitores, dhe pastaj e rrjedhoja e dimë se si ndodhi, erdhi edhe intervenimi i NATO-s. E vërteta është se ka pasur edhe kërkesa, pritshmëri konkrete. Kanë lindur gjatë bashkëbisedimit aty kur ndër të tjera Holbrooke na kërkoi që ta bënim një marrëveshje parësore, për ta ndërprerë përkohësisht luftën ose luftimet, që t'ua bënim të mundur forcave serbe të kalonin përmes Junikut për të shkuar në zonat kufitare që t'i furnizonin ushtrinë e tyre atje. Dhe unë atëherë i thashë se po qe se kjo do të pranohet, ne kush na garanton që serbët duke shkuar me autoblinda andej nuk do të ndalen të hapin dyert e të fillojnë të na bëjnë masakra? Që të bëhet kjo, propozova, tash ne do ta pranojmë këtë po qe se vijnë forcat amerikane dhe e garantojnë kalimin e tyre përmes Junikut. Kjo ishte një veprim taktik po edhe strategjik për t'i thënë Amerikës që vetëm ardhja juaj na jep neve siguri. Dhe ai tha se në këto rrethana kjo nuk mund të bëhet, por në të ardhmen do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet. Dhe unë mund të them se pritjet e mia prej asaj që ka thënë Holbrooke janë realizuar 100%. Ai aty kur e preku tytën e kallashit që të tregova, thotë se Kosova do të bëhet shtet vetëm po qe se do të bashkërendoheni me Departamentin Amerikan”, tha Abazi për KosovaPress.
Pikërisht në kohën kur u takua me Holbrooke, Abazi ishte i njohur me pseudonimin “Lum Haxhiu”, të cilin tha se ia kishte dhënë komandanti Ramush Haradinaj, por edhe një banor i zonës.
“Po, kur unë kam hyrë në Kosovë në vitin 1998 ka qenë fundi i majit, në të vërtetë fillimi, njëherë kam hyrë në mars po u pata plagosë, pastaj jam shëruar edhe kam hyrë prapë në fillim të qershorit, dhe u vendosëm në Junik. Prej Junikut shkuam në Gllogjan te shtabi i zonës aty, dhe meqenëse unë vija nga komuna e Ferizajt ku ende nuk ishte filluar zyrtarisht lufta, atëherë komandanti i zonës zoti Ramush Haradinaj më tha se, meqenëse nga ju nuk ka filluar lufta atje, tha ti rri atje, ke nevojë për me i mbrojtë ata, duhesh me u prezantu me pseudonim. Dhe ma vuri tha: 'Ti tash e tutje do të jesh Lumi’. Një pas kësaj ishim në Dobrosh, në një fshat afër Junikut një mbrëmje duke ndenjur, dhe një burrë i moshuar aty po më pyet tha: 'Prej nga je ti bre djalë?'. Unë doja ta fshihja se nga jam, po ja thashë, po e testoja përmes mbiemrit, mbase e di. Edhe u ktheva unë po e pyes të zotin e shtëpisë që e kisha në krahun e djathtë, thashë: 'Si e keni mbiemrin?'. Tha: 'Haxhiu'. Edhe po i them, thashë: 'Haxhiu'.” 'Aha' tha, 'ti je ai Lum Haxhiu' tha, 'a bre po ti tha s’është dashtë me ardhë se ti je një djalë se një vëlla ta kanë pas vra'. E lidhi me njërin që ai e mendonte se unë jam ai. Edhe prej aty tani më mbeti emri kështu 'Lum Haxhiu'. Dhe ashtu doli kështu si emër e mbiemër i vërtetë, sepse u lidh me regjionin aty”, tha Abazi për KosovaPress.
/Kosovapress/