Besimtarët myslimanë anembanë botës, përfshirë edhe në Kosova, sot shënojnë festën e Fitër Bajrami, e cila vjen pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazani.
Manifestimi qendror për këtë festë po mbahet në Xhamia e Madhe në Prishtinë.
Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:18, nën udhëheqjen e kryeimamit të Bashkësia Islame e Kosovës, Vedat Sahiti, ndërsa hytben tradicionale e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili u është drejtuar besimtarëve me mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkimi.
“Në kohën e sotme për t’u përballur me krizën morale dhe sociale kërkohet domosdoshmërish respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimit në mes individëve, komuniteteve pa asnjë formë dominimi ekonomik, kulturor apo ushtarak. Bashkësia njerëzore nuk është vetëm një nevojë sociale por një parim fetar dhe kombëtar i rrënjosur mbi historinë dhe dinjitetin e popullit tonë. Në realitetin e sotëm ku egoizmi, urrejtja dhe konflikti shpesh cenojnë marrëdhëniet ndër njerëzore, kuptimi i vërtet i dashurisë së paqes duket si përjashtim nga feja. Fetë megjithatë japin mesazh paqeje, duke ofruar udhëzime për respekt të ndërsjellët, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndër njerëzor. Besimi në fetë nga njerëzit e padijshëm shpesh abuzoheni për përçarje. Sipas islamit nuk mund të imagjinohet që njerëzit të bashkohen në një fe apo kulturë të vetme, ngase krijimi i dallimeve në mes njerëzve tregon madhështinë dhe vullnetin e Zotit “, tha ai.
Sipas tij, Kurani e dëshmon që diversiteti është element i pandashëm i natyrës njerëzore që duhet kuptuar dhe respektuar në mënyrë të përgjegjshme.
“Është e pa pranueshme që sot në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të vullnetit politikë për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike. Në moment të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore , kërkohet kulturë dialogu e mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesat e vendit dhe kombit mbi çdo interes tjetër. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë por edhe momentet kur përgjegjësia shmanget. Lusim Zotin që të na bekojë me urtësi e drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë për vendin dhe kombin, qoftë si individ apo si shoqëri. Zoti i madhërishëm të na bëj prej atyre që ndërtojmë familje të forta, rini të ndershme dhe një shoqëri me besim, moral dhe dashuri për atdheun”, tha ai.
Fitër Bajrami njihet si festa e faljes, mëshirës dhe solidaritetit, ku besimtarët përveç vizitave familjare dhe urimeve, japin edhe sadakanë e Fitrit, një obligim fetar që synon të ndihmojë shtresat në nevojë dhe të sigurojë që të gjithë ta festojnë këtë ditë me dinjitet.