Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u zotua se do ta adresoj së shpejti çështjen që Kosova brenda një kohe të shkurtër ta ketë një qendër të rehabilitimit, që do të një qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike.
Zotimin ajo e dha në Ditën Ndërkombëtarë kundër abuzimit të drogave dhe trafikimit të paligjshëm, ku vlerësoi se për drogat dhe pasojat e tyre, duhet të flitet hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun.
“Më ka rënë rasti që me taku shumë prindër të cilët përballen me fëmijë që janë të varur nga substancat narkotike, sidomos në periudhën që e përmenda, sa kam qenë ministre e drejtësisë. Dhe kërkesa e tyre dhe që do ta adresoj edhe sot, është pikërisht ajo që ju e përmendët, që edhe republika jonë, Republika e Kosovës të ketë një qendër të rehabilitimit, qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike. Unë kam marrë zotimet edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, sepse gjatë kësaj periudhe kohore kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse siç na duhet hapësira... në atë kohë, administrata publike ka qenë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra siç na duhet një hapësirë për këtë qëllim, na duhen edhe profesionistë pastaj që merren me këto raste. Dhe kur jemi te profesionistët, pra këtu duhet të vendoset fokusi jonë dhe unë jam shumë optimiste që në të ardhmen e afërt do ta kemi një qendër të tillë rehabilituese, sepse me problemet me të cilat përballemi, është për mua e papranueshme që nuk e kemi ende një qendër të tillë, por sipas zotimeve që ne kemi marrë, kjo qendër do të adresohet”, u shpreh Haxhiu raporton KosovaPress.
Ndërsa, togeri i Policisë së Kosovës, Faruk Bunjaku, nga Drejtoria Kundër Drogave, tha se si njësi antidrogë kanë disa aspekte të luftimit të drogave, duke filluar nga aspekti rrugor, niveli i mesëm dhe niveli ndërkombëtar.
Ai tha se sa i përket shkollave, Policia e Kosovës ka në zbatim planin operativ “Siguria në shkolla”, plan ky që sipas tij, ka pasur efet të jashtëzakonshëm, pasi u shpreh se ka policë në rroba civile që janë prezentë në dhe rreth shkollave.Kurse, drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Labyrinth”, Safet Blakaj, tha se shqetësuese në Kosovë është përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës dhe një varianti të saj që quhet “krak-kokainë”, e cila sipas tij, krijon varësi të shpejtë por edhe shkakton rritje të agresivitetit.
Blakaj tha se mosha e kokainës ka rënë dukshëm, ku në vitin e kaluar ka rënë në 25-35, e që sipas tij, ka tendencë të rënies, teksa u shpreh se kohët e fundit ka probleme edhe me personat nën moshë që po janë përdorues të kokainës.





