AUV rikujton se edhe në takimin e mbajtur të dielën me përfaqësuesit e qumështores "Vita" dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit është bërë e ditur se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pasi të përfundojnë të gjitha analizat laboratorike dhe të verifikohen nga autoritetet kompetente.
Agjencia u ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që t'u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të AUV-së dhe të mos publikojnë informacione të paverifikuara, të cilat, sipas saj, mund të dezinformojnë publikun dhe të dëmtojnë besimin në procesin e kontrollit zyrtar.
Një orë më parë, qumështorja Vita bëri të ditur se ka pranuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) rezultatet e analizave të mostrave të produkteve të saj, të cilat, sipas kompanisë, konfirmojnë se produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme, përcjell KosovaPress.
Në një njoftim për media, kompania tha se rezultatet i janë përcjellë përmes një emaili nga AUVK, pas protestës së fermerëve të mbajtur gjatë ditës së sotme.